Politika e Privatësisë

Përditësuar më 15 tetor 2026

Ky është një draft gjatë fazës pilot dhe do të rishikohet nga një jurist para lansimit publik.

1. Kush jemi

Tako është një platformë për rezervime online në sallone, berberë, klinika estetike dhe spa në Tiranë. Kjo politikë shpjegon cilat të dhëna mbledhim, pse, dhe çfarë të drejtash ke.

2. Çfarë të dhënash mbledhim

  • Emailin, që përdoret për hyrjen. Nëse hyn me Google ose Apple, marrim prej tyre emailin dhe, nëse e ndan, emrin.
  • Emrin dhe numrin e telefonit, që i jep vetë para rezervimit të parë.
  • Rezervimet: biznesi, shërbimi, personi, data, ora, çmimi dhe shënimi yt, nëse shkruan një.
  • Vlerësimet që shkruan pas një vizite: yjet dhe komentin.
  • Bizneset që ruan te të preferuarat.
  • Në aplikacion, nëse lejon njoftimet: një kod që i dërgon njoftimet te telefoni yt.
  • Vendndodhjen tënde, vetëm nëse e lejon: në faqe kur zgjedh “Pranë meje”; në aplikacion sa kohë që “Lejo vendndodhjen” është e ndezur te Cilësimet, ku e lexojmë sa herë hap aplikacionin. E përdorim vetëm për të renditur bizneset sipas largësisë dhe nuk e ruajmë. Mund ta fikësh në çdo kohë.
  • Për bizneset: emrin, adresën dhe pikën në hartë (publike), telefonin, shërbimet, stafin dhe oraret e punës. Pronari mund ta vendosë pikën edhe me vendndodhjen e telefonit; ruajmë vetëm pikën që ai ruan.

3. Pse i përdorim

Për të bërë dhe menaxhuar rezervimet: që biznesi të dijë kush vjen dhe të të kontaktojë nëse ndryshon diçka, dhe që ti të shohësh e anulosh rezervimet e tua. Vlerësimet ndihmojnë klientët e tjerë të zgjedhin; të preferuarat dhe njoftimet janë vetëm për ty. Nuk i shesim të dhënat dhe nuk dërgojmë reklama.

4. Kush i sheh

Biznesi ku rezervon sheh emrin, telefonin dhe shënimin tënd për atë rezervim. Asnjë biznes tjetër nuk i sheh. Vlerësimet janë publike: kushdo sheh yjet, komentin dhe emrin tënd të shkurtuar (p.sh. “Elena K.”), por jo emailin, telefonin apo llogarinë tënde. Të preferuarat i sheh vetëm ti.

5. Furnitorët që përdorim

Këta furnitorë i përpunojnë të dhënat vetëm për llogari të Tako:

  • Supabase: baza e të dhënave, hyrja dhe emailët e hyrjes, me serverë në Bashkimin Evropian.
  • Vercel: hostimi i faqes.
  • Mapbox: harta. Sheh adresën IP dhe zonën e hartës që shikon; në faqe ruan në shfletues një numër anonim për të numëruar përdorimin.
  • Expo dhe Apple: njoftimet në telefon, me emrin e shkurtuar, shërbimin dhe orën e rezervimit.
  • Google dhe Apple: hyrja, vetëm nëse zgjedh të hysh me to.

6. Sa kohë i ruajmë

Sa kohë ke llogari. Kur e fshin llogarinë, emri, telefoni dhe emaili yt fshihen, bashkë me të preferuarat dhe kodet e njoftimeve. Rezervimet mbeten te biznesi pa asnjë të dhënë që të identifikon, sepse janë pjesë e regjistrave të tij. Vlerësimet e tua mbeten, me emrin “Anonim”.

7. Të drejtat e tua

Mund t'i shohësh dhe ndryshosh të dhënat e tua, ose ta fshish llogarinë në çdo kohë, te Llogaria. Ke edhe të drejtat e tjera që të jep legjislacioni shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale.

8. Na kontakto

Për çdo pyetje mbi privatësinë, na shkruaj në Instagram @takoapp.al.